Një delegacion i Amnesty International (AI) do të qëndrojë në Uzbekistan këtë javë.
Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut tha se kjo është vizita e parë e saj në këtë vend në 14 vjet.
Në deklaratën e lëshuar të martën thuhet se Marie Struthers, drejtore për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore pranë AI-së, dhe zëvendësi i saj, Denis Krivosheyev, do të qëndrojnë në Uzbekistan më 22-25 maj.
Ata pritet të takohen me zyrtarë të qeverisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, thuhet në deklaratë.
Struthers tha se organizata ka përgatitur një listë rekomandimesh për zyrtarët në Tashkent.
Lista përfshin krijimin e "mekanizmave për rehabilitimin e të gjithë atyre që ndiqen penalisht për akuza të motivuara politikisht" dhe "hetime të paanshme dhe efektive të abuzimeve të mëparshme të të drejtave të njeriut".
Vizita e fundit e AI-së në Uzbekistan është zhvilluar më 2004, kur organizata ka ndjekur një konferencë ndërkombëtare për heqjen e dënimit me vdekje.
Presidenti uzbek, Shavkat Mirziyev, ka ndërmarrë hapa për zbatimin e reformave dhe përmirësimin e lidhjeve me botën e jashtme pas më shumë se një çerek shekulli të sundimit të hekurt nga paraardhësi i tij, Islam Karimov.