Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka kërkuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që të mos e dekretojë Radomir Laban, si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.
Përmes një letre drejtuar presidentit Thaçi, KMDLNJ thotë se Laban duhet të kalojë nëpër një proces të verifikimit të së kaluarës.
“Sqarimi i së kaluarës së z.Llaban është lehtësisht i verifikueshëm nëse ka vullnet dhe nëse ky proces nuk i nënshtrohet ndikimeve politike”, thuhet në letrën e KMDLNJ-së drejtuar presidentit Thaçi.
KMDLNJ thotë se përzgjedhja e kandidatëve për Gjykatë Kushtetuese duhet të depolitizohet sikur që duhet të kërkohet një mundësi tjetër e mënyrës së intervistimit.
Të premten, Laban u zgjodh gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Por, pak kohë pas votimit u ngritën dyshime rreth të kaluarës së tij.