Haradinaj: Kosova është e hapur për investime të huaja

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se shteti i Kosovës është i hapur për investime të huaja direkte dhe se ka treg tejet të përshtatshëm për to.

Këto deklarata kreu i Qeverisë i ka bërë në Forumin Ekonomik të Vjenës që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.

“Kosova është një vend i vogël, me vetëm dy milionë banorë dhe ne jemi ndër vendet e rralla që kemi shpenzuar paratë nga buxheti ynë për të realizuar projekte të mëdha infrastrukturore. Tani është koha që të kemi investime të reja në shumë fusha, veçmas në miniera dhe telekom. Ne jemi të hapur për të gjithë investitorët dhe ky forum është mundësi e mirë për t’i ndarë këto mundësi”, tha kryeministri Haradinaj në fjalën e tij hyrëse para panelit të përbërë prej kryeministrave të vendeve të Ballkanit dhe Bullgarisë.

Haradinaj paraqiti interesimin e Kosovës për projekte nga fusha e infrastrukturës, me theks të veçantë investimet e huaja, tregtinë, digjitalizimin dhe mobilitetin.

“Aktualisht Kosova ka përfunduar 65 përqind të rrugës që e lidhin Prishtinën me Shkupin, kemi nisur rrugën që lidhë Prishtinën me periferinë dhe që e njëjta do të vazhdojë edhe drejt kufirit me Merdare, me Shqipërinë është përfunduar tashmë, derisa deri në vitin 2022 të gjitha rrugët dytësore dhe regjionale në vend do të kenë qasje në Auto rrugët që lidhin Kosovën me Maqedoninë, Serbinë, Shqipërinë dhe Malin e Zi, derisa po punojmë për të nisur projektet hekurudhore që lidhin Kosovën me Serbinë”, tha Haradinaj.

Përveç Kosovës, pjesë e Forumit Ekonomik të Vjenës janë edhe shtetet si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia.