Publikohet transkripti i takimit të ndihmësve të Trumpit me delegacionin rus

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump

Një panel i Senatit amerikan ka publikuar dokumente të takimit në mes të ndihmësve të fushatës së Trumpit dhe delegacionit rus në qershor të vitit 2016.

Transkripti me 2,500 faqe konfirmon se Donald Trump Junior, djali i presidentit amerikan, Donald Trump ka kërkuar “njollosjen” e kandidates demokrate, Hillary Clinton, raporton BBC.

Ky takim është pjesë e një hetimi të vazhdueshëm nga Departamenti i Drejtësisë lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Komiteti i Gjyqësorit të Senatit, që ka kryer hetime për ndërhyrjen e dyshuar ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane, e ka intervistuar Trump Jr. dhe katër persona të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë në takimin e 9 qershorit në Trump Tower në Nju Jork.

Rob Goldston, që ka aranzhuar takimin me avokaten ruse Natalia Veselnitskaya, lobistin ruso-amerikan, Rinat Akhmetshin dhe biznesmenin gjeorgjiano-amerikan, Ike Kaveladze, po ashtu ka dhënë dëshminë e tij para Senatit.

Komiteti nuk ka intervistuar dhëndërin e presidentit Trump, Jared Kushner dhe menaxherin e atëhershëm të fushatës së Trumpit, Paul Manafort, të cilët po ashtu kanë marrë pjesë në këtë takim.