Anulimi i marrëveshjes bërthamore mes Iranit dhe fuqive botërore do të ishte gabim, tha kancelarja gjermane Angela Merkel.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump njoftoi javën e kaluar se SHBA tërhiqet nga marrëveshja, pavarësisht përpjekjeve të fuqive evropiane për ta bindur Uashingtonin që të qëndrojë në këtë pakt.
Merkel i tha Parlamentit gjerman se pavarësisht se pakti është “larg ideales... nuk është në rregull që kjo marrëveshje të anulohet në një situatë të tillë”.
Ajo tha se pavarësisht mospajtimeve mes Uashingtonit dhe aleatëve evropianë mbi këtë marrëveshje, “marrëdhëniet transatlantike janë dhe mbeten të një rëndësie të madhe”.
Në një takim me ministrin e Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif në Bruksel më 15 maj, nënshkruesit evropianë të marrëveshjes janë zotuar se do ta mbajnë paktin gjallë, pavarësisht tërheqjes së SHBA-së.
Më 2015, Irani nënshkroi marrëveshjen bërthamore me Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën, Gjermaninë, Rusinë dhe Kinën. Kjo marrëveshje e obligon Teheranin që të frenojë programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.