Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka mbështetur iniciativën për krijimin e një zone ekonomike amerikane, për tërheqjen e investimeve të huaja.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës Arian Zeka, tha se krijimi i zonës ekonomike amerikane do të jetë përgjigje e shumë kërkesave të investitorëve amerikanë, në rast se ata vendosin të vijnë të investojnë në Kosovë a ka ndonjë hapësirë të gatshme që ata mund të vendosen dhe të kenë kushtet minimale.
"Ne kemi marrë informatën për themelimin e kësaj zone nga burimet tona brenda qeverisë, por jo në mënyrë zyrtare. Po flasim 19 vite pas çlirimit të vendit ku dikush do të priste që do të ketë komunikim më të madh në nivel zyrtar ndërmjet sektorit publik dhe atij privat", tha Zeka.
Zona ekonomike amerikane, sipas tyre, do të krijonte lehtësira për investitorët amerikanë në vend.