Autoritetet serbe ua anulojnë ftesat tre deputetëve të Kosovës

Ilustrim

Autoritetet e Serbisë ua kanë anuluar ftesat tre deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të ftuar paraprakisht që të marrin pjesë në konferencën me temën: “Përmes idesë së BE-së drejt paqes dhe zhvillimit”, të paraparë të mbahet me 11-12 maj në Beograd.

Deputeti nga radhët e subjektit Alternativa, Ilir Deda, përmes një postimi në facebook ka konfirmuar se ftesa drejtuar atij, pastaj deputetes së LDK-së, Vjosa R. Osmani dhe deputetes së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra është anuluar.

“Në ditën e Evropës, del fytyra anti-evropiane e udhëheqësisë së Serbisë. Veprimet e tilla janë në kundërshtim me deklarimet për “normalizim” të raporteve me Kosovën, dhe për “përkushtimin” ndaj rrugëtimit evropian të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Deda.

Ndërkaq, deputetja Vjosa Osmani, përmes një reagimi drejtuar mediave, thotë se përmes një shkrese, sipas saj, 'me gjuhë aspak diplomatike dhe zyrtare', është njoftuar për vendimin e Kuvendit të Serbisë, për të tërhequr ftesën për pjesëmarrje në Konferencën e organizuar nga Kryetari i Komisionit për Intergrime Evropiane të Kuvendit të Serbisë, Nenad Çanak.

“Shteti i Serbisë, përmes këtij vendimi, tregoi se sa shumë ndikohet nga shovinistët dhe kriminelët e luftës si Vojislav Sheshelj. Ishin pikërisht provokimet e këtij të fundit, të cilat sollën destabilizim të raporteve edhe me shtetin e Kroacisë javët e fundit”, thuhet në reagimin e Osmanit.

“Edhe pse ka hapur shumicën e kapitujve për anëtarësim në BE, Serbia tregon se mbetet një shtet me vlera antievropiane dhe se gjithë të arriturat e saj drejt rrugës integruese i ka fituar përmes temave të Kosovës, dhe jo për shkak të meritave dhe përmbushjes së standardeve. Veprime të tilla të Serbisë nuk i kontribuojnë paqes e as normalizimit të raporteve, e aq më pak rrugës evropiane të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar depuetja e LDK-së.

Megjithatë, ajo ka përshëndetur vullnetin e mirë të treguar nga Nenad Çanak dhe ftesën që u kishte nisur deputetëve nga Kosova.

Tre deputetët nga Kosova ishin ftuar nga kryetari Këshillit për Integrimet Evropiane në Parlamentin e Serbisë, Nenad Çanak.

Por, një ditë pas, sipas njoftimeve nga deputetët e ftuar nga Kosova, ishte kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Maja Gojkoviq ajo e cila i kishte anuluar ftesat.