Autoritetet e Serbisë i kanë ndalur për herë të dytë Përfaqësueses së Karatesë së Kosovës hyrjen në vendkalimin kufitar në Merdare, e cila ishte nisur për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian në Novi Sad.
Kryetari i Federatës së Karatesë të Kosovës, Ismet Krasniqi tha para mediave se edhe pas tentimit të dytë nuk iu lejua hyrja në Serbi.
“Është herë e dytë që Kombëtarja e Kosovës vjen këtu në kufi në Merdare për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Karatesë që po mbahet në Novi Sad, por edhe kësaj here politika dominoi në Serbi dhe neve nuk na lejuan të hyjmë. Edhe pas gjitha bisedave që pati Komiteti Olimpik Ndërkombëtar me atë të Kosovës, kryetari i Federatës Botërore të Karatesë, Antonio Espinosa, më thirri më lajmëroi dhe më tha që jemi mundur që të bëjmë maksimumin por Serbia nuk lejon që të vjen Kosova”, tha Krasniqi.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar gjatë ditës ka biseduar me të dyja palët, atë Kosovës dhe Serbisë.
Kryetari i Federatës së Karatesë të Kosovës, Ismet Krasniqi gjatë ditës ka thënë se përfaqësuesja e Karatesë së Kosovës është e gatshme që gjatë udhëtimit për shkaqe të sigurisë gjatë rrugës, të mos mbajë të dukshme pajisjet që bartin simbolet e Kosovës.
Në lidhje me zhvillimet rreth pjesëmarrjes së Përfaqësueses së Kosovës në Kampionatin Evropian të Karatesë në Novi Sad të Serbisë, gjatë ditës ka reaguar edhe Federata Evropiane e Karatesë.
"Federata Evropiane e Karatesë po bën përpjekje të mëdha që të garantojë pjesëmarrjen e të gjithë karateistëve në ngjarjet që po organizohen nga kjo Federatë”, thuhet në deklaratë. Aty rikujtohet se po bëhet çmos që të garantohet pjesëmarrja e të gjithë garuesve në këtë kampionat.
Tentimi i parë
Pas kthimit nga vendkalimi kufitar herën e parë, kryetari i Federatës së Karatesë, Ismet Kraniqi, tha për Radion Evropa e Lirë se në pikën kufitare të Merdares, përfaqësueses së Kosovës iu tha se është vendim i Ministrisë së Brendshme të Serbisë që asaj të mos i lejohet hyrja në Serbi.
"Në Merdare hasëm në pengesa nga Policia e Serbisë. Te kufiri kemi parë edhe xhandarmëri serbe, të cilët ishin përgatitur me makina speciale të tyre”.
“Fillimisht mendova se kanë ardhur për shkak të sigurisë, që të përcjellin autobusin deri në Novi Sad, ashtu siç jemi marrë vesh. Por, ndodhi e kundërta”, tha Krasniqi.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Krasniqi kishte treguar se aktualisht janë duke biseduar me kryetarin e Federatës Botërore të Karatesë, Antonio Espinosa, Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe Federatën Evropiane të Karatesë.
Krasniqi ka deklaruar se një veprim të tillë nga ana e Serbisë, Federata e ka parashikuar para një viti, dhe se sipas tij për këtë çështje kanë informuar Federatën Botërore dhe Evropiane.
“Kurrë nuk ka pasur kushte. Nëse u pengon flamuri i Kosovës, atëherë le të hiqen flamujt e shteteve të Evropës dhe të jemi të barabartë, por jo të anashkalohet vetëm Kosova, sepse ne jemi anëtar të rregullt të Federatës Evropiane dhe asaj Botërore”, ka thënë Krasniqi.
Një nga karateistët e Kosovës, të cilit i është ndaluar hyrja në Serbi, Alvin Karaqi tha për Radion Evropën e Lirë se që nga viti 2015, Kosova ka marrë dritën e gjelbër për pjesëmarrje në këto gara.
“Edhe pse cikli olimpik nuk ka filluar ende, ai fillon në muajin shtator. Prapë se prapë këto pikë janë shumë të rëndësishme për të forcuar vendin në ranglistën botërore dhe se Kampionati Evropian është garë që ka shumë pikë, kështu që kemi humbur edhe aty shumë”.
“Ne e kemi ditur se do të kemi mosmarrëveshje me palën serbe kur të shkojmë në Novi Sad. Mirëpo, që vijnë na ndalojnë në kufi me trupat e Njësisë Speciale, edhe pse ata nuk kanë ndërhyrë pasi ne nuk kemi mundur të hyjmë në Serbi, prapë se prapë ajo pamja nuk ka qenë të lakmueshme. Ne jemi sportistë, nuk kemi qenë as politikanë, as terroristë dhe as kriminelë, për të na pritur në atë mënyrë”, tha Karaqi.
Video: Stërvitjet e karateistëve për garën në Serbi
Your browser doesn’t support HTML5
Qeveria e Serbisë, përmes Zyrës së saj për Kosovën ka theksuar se nga vendkalimi kufitar në Merdare janë kthyer në dy termine dy grupe nga Kosova.
Aty thuhet se përkundër paralajmërimeve nga organizatori për pjesëmarrje neutrale të karateistëve nga Kosova në garë sportistët nga Kosova kanë bartur me vete, siç thuhet “simbole të shtetit të rrejshëm të Kosovës”.
Ky veprim i sportistëve kosovarë, sipas Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën kishte qëllim të qartë nxitjen e provokimeve në këtë garë sportive.
Ekipi i parë i nisur nga Kosova për në Serbi është kthyer mbrëmë rreth orës 23:00, kurse ekipi i dytë është kthyer mbrapsht sot në mëngjes.
Arsyeja sipas Qeverisë Serbe, ishte bartja e simboleve shtetërore të Kosovës.
Në komunikatën e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, të cilën e drejton Marko Gjuriq, është thënë se “përfaqësuesit e Prishtinës janë përpjekur që fushën e karatesë ta shndërrojnë në arenë politike” dhe se një gjë e tillë është penguar me zbatimin e Marrëveshjes për vizita zyrtare.
Kjo zyrë ka thënë se pala nga Prishtina nuk e ka bërë kërkesën për vizitë dhe pjesëmarrje të delegacioneve në Serbi, sipas Marrëveshjes për vizita zyrtare.
“Këtë e ka bërë me tre ditë vonesë, në vend se këtë ta bënte të premten, më së largu deri ora 17:00. Paralajmërimi për ardhje të delegacionit është dorëzuar të hënën në orët e pasdites, saktësisht në 16 e 17 minuta”, kanë thënë nga Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë.
Gjithashtu, siç është thënë në komunikatën e kësaj zyre, “përfaqësuesit e karateistëve të Kosovës, dje nuk janë lajmëruar në takimin e caktuar me kryetarin e Federatës Evropiane të Karatesë, në të cilin takim është dashur që të merren vesh dhe qartësohen detajet për mënyrën e pjesëmarrjes dhe përfaqësimit në garën e Kampionatit Evropian në Novi Sad”.
Edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, i ka pohuar të njëjtat shkaqe pse Përfaqësuesja e Karatesë së Kosovës nuk është lejuar të hyjë në Serbi.
Ajo ka theksuar se institucionet e Kosovës e kanë keqpërdorur sportin për të mbizotëruar interesat e tyre politike. Sipas saj autoritetet serbe janë përpjekur që ta organizojnë sa më mirë Kampionatin Evropian të Karatesë dhe në këtë frymë nuk kanë dhënë deklarata nxitëse. Të kundërtën, sipas saj, e kanë bërë autoritetet e Kosovës.
“Deklaratat që kanë ardhur nga Prishtina kanë qenë të pasakta. Pra, deklaratat se përfaqësuesja e tyre do të jetë e barabartë me të gjitha shtetet tjera, me të gjitha simbolet, gjë që është e pamundur. Pra, ata nuk janë shtet dhe nuk mund të përfaqësohen në mënyrë të barabartë”, ka thënë Bërnabiq.
Reagimet e liderëve dhe institucioneve të Kosovës
Pas ndalimit të Kombëtares së Kosovës nga autoritetet e Serbisë, kanë reaguar krerët më të lartë të shtetit.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili gjendet në Gjermani, në një postim në Facebook ka shkruar se ‘ndalimi i pjesëmarrjes së karateisteve kosovarë nga autoritetet e Beogradit është e papranueshme, është kundër frymës sportive dhe rregullave elementare të Federatës Ndërkombëtare të Karatesë”
Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar përmes rrjetit social Facebook, duke thënë se ky “është akt i papranueshëm që nuk i kontribuon normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona”.
Edhe Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) e ka pritur me shqetësim të madh ndaljen në kufi të delegacionit të karatesë së Kosovës. Vendimi i Qeverisë së Serbisë për përzierjen në sport është në kundërshtim me Kartën Olimpike, me statutin e Federatës Botërore të Karatesë dhe me të drejtat e njeriut, thuhet në një komunikatë për media.
"Sot u bënë përpjekje për shuarjen e ëndrrave të shumë karateistëve për rezultate në nivelin evropian, duke iu mohuar shanset për të fituar medalje në kampionatin evropian dhe pikë për kualifikim në Lojërat Evropiane Minsk 2019 dhe Lojërat Olimpike Tokio 2020”, thuhet ndër të tjera në komunikatë .
Paraprakisht, ekipi ka vendosur të marrë pjesë në garë vetëm me simbole shtetërore të Kosovës, ndërsa Serbia ka thënë se Kosova do të konkurrojë nën flamurin e Federatës Evropiane.
Lexoni edhe këtë:
Haradinaj: Sportistët janë ambasadorët më të mirë të paqes