Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, të enjten gjatë qëndrimit dy ditor në Maqedoni para deputetëve të Parlamentit të Maqedonisë ka theksuar se është për t'u përgëzuar fakti që Maqedonia si shtet, krahasuar me një vit më parë ka tejkaluar krizën më të madhe politike dhe atë institucionale.
Mogherini, tha se vlerëson lartë punën e Kuvendit, bashkëpunimin me opozitën, por edhe kontributin e qytetarëve të vendit për arritjen e udhëzimit pozitiv për të filluar bisedimet për anëtarësim e vendit në familjen evropiane.
"Jeni në rrugën e drejtë. Kjo është arritje jo vetëm e qeverisë, por e të gjitha institucioneve të vendit, nga presidenca deri te qeveria, organizatat e të tjera. Jam e sigurt se në të ardhmen do të ketë edhe arritje tjera.
Ditëve të kaluara kam dëgjuar shumë falënderime për raportin pozitiv po në fakt ne duhet t’ju falënderojmë për atë që arritët ta bëni. Këto janë rezultate të përbashkëta edhe të qeverisë edhe të opozitës”, tha Mogherini .
Përfaqësuesja e lartë për Punë të jashtme dhe Politikat e sigurisë të BE-së, njëherësh ka kujtuar se parlamenti paraqet zemrën për zhvillimin e çdo demokracie duke porositur deputetët e Maqedonisë se rekomandimi pozitiv duhet shfrytëzuar që të punohet edhe me më shumë përkushtim në këtë drejtim.
"Mbajeni të qartë rrugën që e trasuat dhe e cila u konfirmua. Të jeni krenarë për rekomandimin pozitiv".
"Gjithashtu jam e sigurt se ky është hapi i parë në rrugën e gjatë që ka nevojë për punë të përbashkët, ndërmjet qeverisë dhe opozitës, për të ardhmen e qytetarëve dhe shtetit tuaj. Qytetarët tuaj janë të bashkuar për të arritur objektivat dhe ata kërkojnë që edhe ju të jeni të bashkuar për të arritur objektivat”, tha Mogherini.
Ajo ka përgëzuar për atmosferën pozitive drejt realizmit të reformave për ta përshpejtuar procesin e integrimeve.
"Ju e keni potencialin për të lëvizur shpejt, unë e besoj këtë dhe ju e besoni këtë. Ka një atmosferë të re në vend dhe kjo vërehet në Bruksel, por edhe në vendet tjera të Bashkimit Evropian".
"Është koha të filloni të veproni bashkë me fqinjët tuaj dhe jam e sigurt se bashkë do të shkoni shumë larg“, ka thënë Mogherini.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini është shprehur e bindur se bisedimet me Greqinë do të çojnë kah arritja e një zgjidhjeje e cila do të jetë e pranueshme për të dyja palët.
Përderisa iu është drejtuar deputetëve në Parlamentin e Maqedonisë, një grup i qytetarëve të organizuar nga Iniciativa Qytetare “Drejtësi për Almirin” sot përsëri dolën në protestë për t'i treguar Mogherinit, siç kanë thënë organizatorët se "Drejtësia në Maqedoni është e vdekur“.
Mogherini, gjatë vizitës ka takuar edhe kryeministrin maqedonas Zoran Zaev, me ç'rast ka inkurajuar përfaqësuesit politik që Maqedonia të kryej obligimet për përmbushjen e detyrimeve për fillim të negociatave.