Irani i ndaloi të gjithë mekanizmat qeveritarë të përdorin aplikacionet e huaja të mesazheve.
Zyra e udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, tha se llogaria e tij në Telegram do të mbyllet "për të mbrojtur interesat kombëtarë".
Agjencitë iraniane të lajmeve nuk dhanë ndonjë arsye për ndalesën e qeverisë dhe nuk është e qartë nëse ajo do të vlejë për nëpunësit civilë jashtë orarit të punës.
Urdhri vjen disa ditë pasi një ligjvënës iranian ka thënë se aplikacioni i mesazheve Telegram, i cili mendohet se përdoret nga rreth 40 milionë njerëz në Iran, do të bllokohet deri në fund të prillit.
Zyrtarë të tjerë kanë thënë se nuk është marrë asnjë vendim për kufizimin e aplikacionit.
Autoritetet e kanë bllokuar përkohësisht Telegramin në muajin janar, në përpjekje për të penguar protestat antiqeveritare në Iran.
Zyra e Khameneit tha se do të ndalojë të përdorë Telegramin "në përputhje me ruajtjen e interesave kombëtarë dhe heqjen e monopolit të aplikacionit të mesazheve".
Ajo tha se lajmet dhe informacionet për udhëheqësin suprem do të shpërndahen përmes tre aplikacioneve iraniane.