Shkup: Paralajmërohet ulja e çmimeve të romingut

Ilustrim

Në Shkup po mbahen Samiti i parë digjital i vendeve të Ballkanit Perëndimor në të cilin përfaqësuesit e qeverive, të organizatave joqeveritare dhe të sektorit të biznesit po debatojnë për përparësitë e transformimit digjital të shoqërisë.

Komisionierja Evropiane për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, Marija Ivanova Gabriel, theksoi se Unioni në mënyrë intensive punon në përgatitjen e agjendës digjitale për Ballkanin Perëndimor, që është pjesë e strategjisë së të BE-së për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor.

Por, ajo tha se ky proces nuk do të jetë i lehtë, dhe se pikat kryesore për këtë nismë do të jenë sigurimi i fondeve, përgatitja e administratës publike, infrastruktura e internetit dhe rritja e besimit të qytetarëve në botën digjitale.

Komisionerja tha se ulja e çmimeve të romingut do të jetë një nga përpjekjet në transformimin digjital.

"Roming nuk është vetëm një domosdoshmëri, por është gjithashtu një stimul i rëndësishëm dhe i dobishëm për bizneset dhe qytetarët. Unë e mirëpres iniciativën për të ulur çmimet. Kjo është një temë komplekse që BE-së i duhej 10 vjet që ta ketë gati. Por, ne duhet të mundësojmë një ulje të çmimeve për romingun në Samitin e Sofjes në maj, "tha komisionerja Gabriel.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev tha se Qeveria e tij do të bëjë më shumë në sigurimin e burimeve buxhetore për arritjen e këtij qëllimi, ndërsa shprehi gatishmërinë për kompensimin e humbjeve për operatorët mobilë që do të ulin çmimet e shërbimeve.

"Së bashku me Ministrin e Financave, tashmë kemi paraparë mjete për t’i dhënë mbështetje agjendës digjitale në Maqedoni” tha Zaev.

Samiti dyditor pritet të rezultojë në një kërkesë të përbashkët për Komisionin Evropian për njohjen reciproke të certifikatave digjitale, apo të nënshkrimeve digjitale dhe vulave.

Në samit marrin pjesë përfaqësues të BE-së, qeverive të Ballkanit Perëndimor, bizneseve, organizatave rajonale, shoqërisë civile, akademisë.

Nga vendet e rajonit, në cilësinë e udhëheqësve të Qeverive merr pjesë vetëm kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.