EULEX ngrit aktakuzë kundër gjashtë personave

Ilustrim.

Një prokuror i EULEX-it ka ngritur një aktakuzë kundër gjashtë të pandehurve.

Aktakuza është ngritur në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.​

Në një komunikatë nga Prokuroria e Shtetit thuhet se "të pandehurit akuzohen për veprat penale, posedim i paautorizuar i armëve, mundësim ose detyrim në prostitucion, ushtrim i ndikimit, mashtrim dhe falsifikim i dokumenteve".

Policia e Kosovës dhe e EULEX-it thuhet se hetimet i kanë nisur në janar të vitit 2016.

Hetimet kanë sjellë deri te zbulimi i një rrjeti ilegal të tregtimit të armëve dhe një sasie të armëve që përbëheshin nga eksplozivë dhe dy armë automatike.

"Përveç këtyre, në posedim të pandehurve ishin kapur edhe disa armë tjera të ndryshme. Të pandehurit pretendohet se kanë ushtruar ndikim në mënyrë që të siguronin statusin dhe më pastaj edhe pensionin e Shoqatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së në këmbim të një pagese deri në një mijë euro. Të pandehurit kësisoj e kanë dëmtuar buxhetin shtetëror të Kosovës", thuhet në komunikatë.

Aty po ashtu theksohet se "njëri nga të pandehurit ishte përfshirë edhe në shtytjen dhe aranzhimin e marrëdhënieve seksuale me pagesë ndërmjet një gruaje dhe disa burrave, duke përfituar nga kushtet e rënda ekonomike të saj dhe duke përfituar nga kjo veprimtari".