Banka Kombëtare Tregtare (BKT) ju ka mbyllur xhirollogaritë personale bankare disa punonjësve të shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen.
Mbyllja e këtyre llogarive është bërë disa javë pas arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova në Turqi.
Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës Besnik Kada tha për Radion Evropa e Lirë se janë të informuar për këtë rast dhe se janë në shqyrtim të materialit relevant.
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sot, në orët e vona të pasdites ka pranuar një shkresë nga International School of Prishtina (ISP), e cila informon BQK-në lidhur me ngrirjen e llogarive bankare nga ana e Bankës Kombëtare Tregtare të një numri të caktuar të mësimdhënësve të kësaj shkolle. Banka Qendrore e Kosovës pas shqyrtimit të të gjithë materialit relevant do del me përgjigje për rastin në fjalë”, thotë Kada.
Gjashtë shtetasit turq ishin arrestuar dhe dëbuar me një aeroplan të Shërbimit të Inteligjencës Turke më datë 29 mars vetëm pak orë pasi u arrestuan nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI).
Pesë prej personave të dëbuar nga Kosova ishin punonjës të shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen, ndërkaq personi i gjashtë ishte një mjek turk.