Komisioni Evropian publikon sot raportin e progresit

Pamje nga selia e Komisionit Evropian në Bruksel.

Komisioni Evropian sot në Strasburg publikon Raportin e Progresit për Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe Turqia, që synojnë integrim në Bashkimin Evropian.

I njohur si Raporti i Progresit, ai pritet të përmbajë shënimet kryesore në lidhje me përparimet që ka shënuar Kosova gjatë periudhës një vjeçare, sipas monitorimit që i bën Komisioni Evropian.

Si zakonisht aty pasqyrohen edhe ngecjet dhe sfidat.

Ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha tha për Radion Evropa e Lirë se pret që raporti të jep një vlerësim që çon përpara agjendën integruese të Kosovës.

Ajo shton se pritjet janë që të vlerësohet puna e institucioneve të Kosovës në fuqizimin e sundimit të ligjit, reformat ekonomike si dhe Agjenda e Reformave Evropiane.

“Pres një vlerësim real dhe objektiv të të arriturave, por edhe sfidave. Besoj se raporti do të jetë orientues për institucionet tona. Pres të vlerësohet ratifikimi i demarkacionit si dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsioni. Gjithsesi pres impenjim më të fuqishëm të vendeve të BE-së për përshpejtimin e realizimit të detyrave tona, me ekspertizë dhe këshilla të domosdoshme për procesin”, thotë ministrja Hoxha.

Raporti i Progresit i vitit të kaluar pati ngritur shumë vërejtje për punën e institucioneve të Kosovës. Aty u patën ngritur shqetësime në lidhje me përplasjet e vazhdueshme në Kosovë mes të partive politike në pushtet dhe opozitë.