Gjykata e Kombeve të Bashkuara pjesërisht ka hedhur poshtë vendimin për shfajësimin e politikanit nacionalist serb, Vojsllav Sheshel, për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe e ka dënuar atë me 10 vjet burgim.
Megjithatë, Sheshel nuk do të dërgohet për vuajtje të dënimit, pasi është llogaritur koha që ai ka qëndruar në paraburgim në Hagë.
Sheshel është akuzuar për krime kundër joserbëve në Kroaci, në rajonin serb të Vojvodinës dhe në Bosnje dhe Hercegovinë, gjatë luftërave në Ballkan.
Po ashtu, ai është akuzuar për persekutim mbi baza politike, fetare, racore si dhe për dëbim, vrasje dhe torturë.
Sheshel, i cili është ekstraduar më 2003, ka qëndruar në paraburgim në Hagë për 12 vjet. Ai është kthyer në Serbi më 2014, për shkak të problemeve shëndetësore.
Ai sot nuk është paraqitur para gjykatës, në kohën kur është dhënë vendimi.
Prokurorët kanë kërkuar që gjykata ta shpallë fajtor Sheshelin për tri akuza për krime kundër njerëzimit dhe për gjashtë akuza që kanë të bëjnë me shkeljen e ligjeve dhe zakoneve të luftës. Ata kanë kërkuar që ai të dënohet me 28 vjet burgim, ose ndaj tij të zhvillohet gjykim i ri.
Sheshel, 63-vjeç, anëtar i Parlamentit të Serbisë, i ka mohuar akuzat ndaj tij.
Në një vendim kundërthënës, në mars të 2016-ës, gjykatësit e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi e kanë shfajësuar atë nga të gjitha akuzat.
Por, prokurorët që e kanë apeluar këtë vendim, kanë thënë se gjatë gjykimit të Sheshelit nuk janë marrë parasysh të gjitha provat.