Identifikohet sulmuesja në selinë e YouTube

Ilustrim

Tre njerëz po trajtohen për plagosje me armë zjarri, pas të shtënave në selinë e YouTube në Kaliforninë Veriore, tha policia amerikane.

Autoritetet kanë thënë se sulmuesja e dyshuar ka vrarë veten.

Policia e ka identifikuar sulmuesen e dyshuar si 39-vjeçarja Nasim Aghmad nga San Diego dhe ka thënë se janë duke hetuar për motivet e sulmit.

Disa media kanë raportuar se sulmuesja e dyshuar është me prejardhje iraniane.

Ismail Aghdam, babai i të dyshuarës, i ka thënë mediave lokale se vajza e tij “urrente” YouTube-in, pasi kompania nuk i kishte paguar asaj për videot që kishte postuar në këtë platformë.

YouTube ka mbyllur llogarinë e Aghdam, pas incidentit në San Bruno.

Zyrtarët shëndetësorë kanë thënë se një burrë dhe dy gra janë në gjendje kritike, pas të shtënave në San Bruno, në afërsi të San Franciskos më 3 prill.

Rreth 1,700 njerëz punojnë në zyrën qendrore të YouTube.

Pamjet e transmetuara në stacionet televizive i treguan punonjësit duke u larguar me duart e tyre të ngritura.

Menaxheri i produktit në YouTube, Todd Sherman, shkroi në Twitter se njerëzit kanë ikur në panik.

Muajin e kaluar, YouTube ka thënë se do të ndalojë përmbajtjen që promovon shitjen e armëve, si dhe videot që mësojnë se si të bëhen armë.​

Përgatiti: Valona Tela