Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Flamur Sefaj ka dhënë dorëheqje nga posti, pasi që paraprakisht kryeministri Ramush Haradinaj kishte kërkuar lirimin e tij nga të gjitha përgjegjësitë. Ai i takon subjektit politik Aleanca Kosova e Re (AKR), që bën pjesë në koalicionin qeverisës.
Lirimi i tij nga detyra, pasoi vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) për deportimin e gjashtë shtetasve turq për në Turqi, pa dijeninë e kryeministrit Haradinaj.
Menjëherë pas këtij zhvillimi, Haradinaj e kishte bërë përgjegjës ministrin Sefaj, duke kërkuar lirimin e tij nga detyra.
Por në komunikatën dërguar medieve nga AKR-ja, thuhet se Sefaj nuk ka qenë faktor vendimmarrës në lidhje me deportimin e shtetasve turq, duke nënvizuar se ai vetëm ka zbatuar ligjin përkitazi me kërkesën së AKI-së.
“Sa i përket informimit të Kryeministrit për këtë proces, AKI obligohet me ligj që t’i raportojë në të njëjtën kohë Kryeministrit, prandaj duhet të sqarohet nëse kjo ka ndodhur apo jo. Ministri Sefaj nuk ka qenë fare në dijeni se çka përfaqësojnë ata persona, por vetëm ka zbatuar ligjin i cili aktivizohet në rastet kur AKI vlerëson se po cenohet siguria shtetërore e Kosovës”, thuhet në komunikatën e AKR-së.
Gjatë ditës, kryeministri Ramush Haradinaj ka zhvilluar një takim në lidhje me këtë rast me kryetarin e Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, i cili është edhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës.