Haradinaj i kundërpërgjigjet Erdoganit: Askush s'mund të përzihet në punët e Kosovës

Kryeministri i Kosov5s, Ramush Haradinaj. Foto nga arkivi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u është kundërpërgjigjur kritikave të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, duke thënë se të gjithë duhet ta dinë se askush nuk mund të përzihet në punët e brendshme të Kosovës.

Këto komente, Haradinaj i bëri në kuadër të shënimit të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ku është bërë promovimi i gatimeve shqiptare, “Shije Shqiptare”.

“Kosova dhe unë s’kemi hyrë në punët e brendshme të Turqisë, as në të kaluarën, as sot, as në të ardhmen. Por, po ashtu punët tona të shtëpisë nuk do të mund t’i bëjë dikush në emër tonë në Kosovë. Do t’i bëjmë vetëm ne. Këtë le ta dinë të gjithë”, tha Haradinaj.

Ai tha se në Kosovë respektohen të gjitha komunitetet, pavarësisht identitetit të tyre dhe se Kosova asnjëherë nuk përzihet në punët e brendshme të shteteve tjera.

Në ditët e shënimit të Vitit të Skenderbeut, kryeministri i Kosovës tha se duke përkujtuar Gjergj Kastrioti Skenderbeun dëshmohet se shqiptarët i kanë rrënjët e thella e po ashtu edhe Kosova.

“Për ata që prej larg na gjykojnë, e para që mund t’u them se nuk na njohin, iu mungon njohja për shqiptarët, në trojet e tyre, në atdheun e tyre, bëjnë mirë që të na njohin, se kurrë nuk është në traditën tonë që të hysh në punët e shtëpisë së dikujt tjetër”, theksoi Haradinaj.

Presidenti turk, Erdogan të shtunën e ka kërcënuar kryeministrin Haradinaj “se do të paguajë”, pasi Haradinaj është shprehur kundër deportimit të gjashtë shtetasve turq. Haradinaj, pas kësaj ngjarjeje, ka shkarkuar ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefin e Agjencisë së Inteligjencës, Driton Gashi.

Një ditë më pas, Erdogan ka falënderuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi për arrestimin dhe dëbimin e shtetasve turq, por e ka kritikuar sërish Haradinajn, duke thënë se “ e falënderoj presidentin e Kosovës. Por kryeministrit i them 'turp'. Largimi nga detyra i kreut të inteligjencës, ministrit të Brendshëm, të cilët na i dhanë anëtarët e organizatës terroriste FETO, është një gabim historik. Ata bënë detyrën e tyre".

Më 29 mars, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar dhe më pas dëbuar për në Turqi gjashtë shtetas turq. Pesë prej tyre ishin punonjës në shkollat “Mehmet Akif” në Kosovë, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen, ndërkaq i dëbuari i gjashtë ishte mjek turk.

Erdogan e fajëson klerikun fetar, Fethullah Gulen se qëndron prapa një tentim grusht-shteti më 2016.