Brnabiq: Kërkojmë nga Prishtina të zbatojë Marrëveshjen e Brukselit

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq

Qeveria e Serbisë do të kërkojë nga autoritetet në Prishtinë që të zbatojnë në tërësi Marrëveshjen e Brukselit për normalizim të marrëdhënieve, tha kryeministja serbe, Ana Brnabiq.

“Do të këmbëngulim që të zbatohet Marrëveshja e Brukselit dhe të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe me të gjitha kompetencat. Nëse nuk duan, ne do t’i mbështesim serbët në Kosovë që ta bëjnë një gjë të tillë”, tha Brnabiq, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Ajo tha se situata në Kosovë “është komplekse” dhe se “ndryshon nga dita në ditë”.

“Kam biseduar për të me presidentin e Serbisë, prapa dyerve të mbyllura, dhe nuk mund të jap detaje”, tha Brnabiq.

Ajo po ashtu shtoi se në Serbi është i nevojshëm uniteti kombëtar dhe se tash për tash nuk do të flitet për ristrukturim të qeverisë.