Drejtori i përgjithshëm i Shkollës "Mehmet Akif" në Kosovë Mustafa Erdem, zëvendësi i tij Yusuf Karabina, drejtori i shkollës në Gjakovë, Kahraman Demirez dhe dy arsimtarë Djihen Ozkan dhe Hasan Gunakana të arrestuar të enjten nga Policia e Kosovës, janë deportuar në Turqi.
Ne mesin e të arrestuarave dhe të dëbuarve është edhe mjeku Osman Karakaja, i cili nuk ishte punonjës i këtyre shkollave.
Të gjithë të arrestuarit dhe deportuarit janë qytetarë turq.
Adem Vokshi, avokat i rastit e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë deportimin e tyre në Turqi.
“Që nga mëngjesi kur shtetasit turq janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe deri më tani ishim diku pritur të bisedojmë, por nuk na është mundësuar fare kontakti me klientë, por si duket as që kishte pasur mundësi pasi që koloneli na tregoi se ata i kanë depërtuar menjëherë për arsye se nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës i kanë shpallur presona të rrezikshëm dhe kanë sjell vendim për depërtimin e tyre”, tha Vokshi.
Vokshi ka bërë të ditur se të gjithë personat e arrestuar janë tani e 12 vite në Kosovë dhe kanë pasur leje qëndrimo, disa prej tyre deri në vitin 2021 dhe disa deri në vitin 2023.
Avokati Vokshi theksoi se e vetmja arsye për arrestimin e tyre mund të jetë mbyllja e shkollës dhe ekstradimi i tyre, kinse, siç thotë ai, “këta janë armiqtë e shtetit turk, por që për këtë nuk kanë asnjë provë”.
Gjatë ditës, Ministria e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës revokoi lejet e qëndrimit për shtetasit e Turqisë, drejtor dhe arsimtarë të shkollës Mhemet Akif " në Kosovë.
“Duke iu referuar rasteve konkrete Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion ka vepruar në bazë të Ligjit për të Huaj dhe mandatit që ka për shqyrtimin dhe vendosjen e të gjitha kërkesave që kanë të bëjnë me leje qëndrim".
"Kjo është një procedure ligjore e cila është aplikuar edhe në rastet e mëhershme, si për të huajt me leje qëndrim, gjithashtu edhe për të huajt që kanë fituar shtetësinë e Kosovës dhe u është revokuar për arsye të sigurisë, apo procedurave tjera të parapara me ligjin përkatës”, thuhet në komunikatën për media.
MPB bënë të ditur se gjatë administrimit të provave kanë konstatuar se për personat në fjalë, ka bazë të mjaftueshme ligjore që të merren masat për revokimin e leje qëndrimit të tyre në territorin e Republikës së Kosovës siç thuhet "për arsye të përcaktuara me ligjin për të huaj, konkretisht nenit 6 të ligjit ku flet për refuzimin apo revokimin e lejes së qëndrimit për rrethanat e sigurisë shtetërore".
Pas revokimit të leje qëndrimit, sipas kësaj ministrie, qëndrimi i mëtejmë i këtyre qytetarëve konsiderohet i jashtëligjshëm. Ndërkohë, që palët kanë të drejtë ankese në gjykatën kompetente..
Aksionin e arrestimit të drejtorëve dhe arsimtarë të Shkollës "Mehmet Akif" në Kosovë gjatë ditës e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë së Kosovës Bajram Krasniqi.
Shkollat "Mehmet Akif" në Kosovë i përkasin Institucionit Arsimor Gylistan.
Ky i fundit ka kopshte, institucione parashkollore, shkolla fillore dhe të mesme në gjithë Kosovën.
Besohet se ato janë të frymëzuara nga Lëvizja Hizmet e Fethullah Gulenit, klerikut fetar turk, të cilin presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e fajëson për orkestrimin e përpjekjes për grushtshtet në Turqi, në vitin 2016.
Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit në Kosovë kanë deklaruar më herët për Radion Evropa e Lirë se këto shkolla veprojnë në përputhje me ligjet e Kosovës.