Qeveria e Kosovës nuk aprovon vizitën e zyrtarëve serbë

Ilustrim

Shefi i kabinetit të Ministrisë së Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Jetlir Zyberaj ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se kjo ministri e ia refuzuar kërkesën për vizitë në Kosovë drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq dhe sekretarit të përgjithshëm të presidentit të Serbisë, Nikola Selakoviç.

Sipas Zyberaj, ndalesa është aplikuar për shkak të deklaratave të cilat nxisin tensionim të situatës.

Zëvendësdrejtori i Policisë se Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti i tha Radios Evropa e Lirë se policia është e obliguar të veprojë sipas urdhrit, gjegjësisht që të mos lejojë hyrjen e Marko Gjurqit në Kosovë.

Policia e Kosovës, tha Hoti, sot vepron sipas planit të veçantë operativ.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq dhe sekretari i përgjithshëm i presidentit të Serbisë, Nikola Selakoviç gjatë vizitës në Kosovë planifikonin të merrni pjesë në një debat me qytetarët në veri të Kosovës, rreth dialogut të brendshëm të cilin e ka nisur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.