Moska: Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të kishte pasoja për sigurinë

Ilustrim

Planet për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO mund të kenë pasoja negative ndaj sigurisë rajonale dhe raporteve dypalëshe, tha zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Aleksandar Grushko, në takimin me ambasadorin e Maqedonisë në Moskë, Goce Karajanov.

Sipas komunikatës së MPJ-së së Rusisë, në këtë takim është biseduar lidhur me gjendjen në Ballkan.

Grushko dhe Karajanov kanë theksuar gatishmërinë e tyre për vazhdimin e bashkëpunimit në sferat e interesit të përbashkët dhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të Komisionit ruso-maqedonas për tregti, ekonomi, shkencë dhe teknologji.

Reagimi rus vjen pas njoftimeve për intensifikimin e bisedimeve mes Shkupit dhe Athinës për zgjidhjen e kontestit të emrit, që do t’i hapte rrugën anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe nisjes së bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kocijas, ka bërë të dituar se Athina tashmë i ka dorëzuar Shkupit propozimin e saj prej pesë pikash për zgjidhjen e kontestit.

“Ne kemi hartuar një tekst që përbëhet nga të gjitha propozimet tona sa u përket problemeve tona që kemi me Maqedoninë si dhe agjendën e ardhshme të bashkëpunimit që do të sillte përfitime për të dyja palët. Këtë agjendë, ditë më parë, e kam dërguar në Shkup”, ka deklaruar Kocijas, i cili të enjten arrin për vizitë në Maqedoni.

Detaje nuk jepen, por jozyrtarisht bëhet e ditur se propozimi grek prej 20 faqesh përmban një emër të papërkthyeshëm, ndërsa kërkohet edhe ndryshimi i Kushtetutës. Këto propozime kundërshtohen nga pala maqedonase.