SHBA po negocion me aleatët evropianë një marrëveshje shtesë për Iranin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump

Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë evropiane janë duke negociuar një marrëveshje të mundshme shtesë për marrëveshjen bërthamore me Iranin, ka thënë një diplomat amerikan.

I dërguari i SHBA-së, Brian Hook ka thënë se aleatët kanë pasur “bisedime të mira” për një marrëveshje shtesë në Vjenë, teksa agjencia Reuters ka raportuar se Britania, Franca dhe Gjermania kanë propozuar sanksione të reja të BE-së mbi programin e raketave bërthamore të Iranit dhe për rolin e Teheranit në luftën civile në Siri.

Hook ka thënë se presidenti amerikan, Donald Trump dëshiron të arrijë një marrëveshje me tri shtetet evropiane, që kanë nënshkruar marrëveshjen bërthamore më 2015, në mënyrë që të adresojë programin e raketave dhe intervenimin e Iranit në kofliktet në Siri dhe Jemen.

Trump po ashtu dëshiron të korrigjojë marrëveshjen, e cila sipas tij, ka të “meta të mëdha”.

“Në mënyrë që SHBA të vazhdojë të jetë pjesë e kësaj marrëveshjeje, SHBA dhe Evropa duhet të arrijnë marrëveshje për të adresuar çështjet si inspektimet dhe raketat balistike me fushëveprim të gjatë”, ka thënë Hook.

“Jemi duke zhvilluar bisedime të mira. Ka shumë çështje për të cilat pajtohemi dhe ka çëshje që nuk pajtohemi dhe ne po punojmë për të kapërcyer dallimet tona”, ka thënë ai.

Hook po ashtu ka thënë se presidenti Trump iu ka kërkuar negociatorëve që të arrijnënjë marrëveshje deri më 12 maj, kur presidenti duhet të vendosë nëse SHBA-ja do të vazhdojë sanksionet ndaj Iranit.

Zëvendësministri i Jashtëm irania, Abbbas Araghchi, i cili ka marrë pjesë në bisedimet e ndara në Vjenë, ka thënë se Teherani fuqishëm kundërshton ndryshimet që po kërkon presidenti Trump.

“E kemi bërë të qartë se për ne, ultimatumet e SHBA-së janë qartazi shkelje e marrëveshjes”, ka thënë ai.