Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se pas ratifikimit të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi nga Kuvendi i Kosovës, do të kërkojë që Qeveria e Kosovës të japë dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë se qeveria aktuale, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, është krijuar me premtimin për të marrë vendime të mëdha dhe sipas tij, deri më tash nuk është marrë asnjë vendim i tillë.
“Demarkacioni, me duket se po kalonpërfundimisht, vetëm sepse është Lidhja Demokratike e Kosovës ajo që e mbështetë këtë proces dhe ka krijuar konsensusin e nevojshëm brenda Kuvendit, për ta kaluar këtë çështje. Sapo të kaloj kjo, ju do t’i shihni veprimet tona konkrete për ta dërguar vendin në zgjedhje të reja”, ka thënë Hoti.
Sipas tij, seancat e Kuvendit të Kosovës nuk po zhvillohen normalisht dhe në të shumtën e rasteve shumica parlamentare nuk po merr fare pjesë në votime, duke shkaktuar mungesë kuorumi për vendimet e caktuara.