Kim thotë se do lidhje më të afërta me Korenë e Jugut

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, tha se dëshiron lidhje më të afërta me Korenë e Jugut.

Raportet e mediave pasojnë një vizitë të rrallë në Phenjan të zyrtarëve të lartë jugkoreanë.

Ata janë zyrtarët e parë nga Seuli që kanë takuar Kimin prejse ky i fundit ka ardhur në pushtet në vitin 2011.

Koreja e Jugut e komentoi vetëm shkurtimisht takimin, duke thënë se palët kanë arritur “marrëveshje të kënaqshme” për mbajtjen e bisedimeve në të ardhmen.

Delegacioni do të shkojë këtë javë në Uashington për të informuar zyrtarët amerikanë në lidhje me bisedimet e tyre me Phenjanin.

SHBA ka thënë se është optimiste për përmirësimin e kontakteve midis dy Koreve, por ka përjashtuar bisedimet formale me Phenjanin derisa ky i fundit të mos heqë dorë nga armët bërthamore.

Tensionet në Gadishullin Korean kanë qenë të larta vitin e fundit, për shkak të disa provave raketore dhe bërthamore që ka kryer Veriu.