Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se Rusia duhet të përqendrohet në rritjen e standardit jetësor për qytetarët e saj.
Në fjalimin drejtuar kombit, Putin tha se Rusia duhet të bëjë përparim teknologjik, për t'i vënë themelet e zhvillimit të ardhshëm.
Ai paralajmëroi se Rusia rrezikon "të humbë sovranitetin e saj" nëse dështon të ecë përpara ekonomikisht.
Putin po ashtu tha se duhet bërë më shumë për të luftuar varfërinë, duke theksuar se 20 milionë rusë aktualisht jetojnë nën nivelin zyrtar të varfërisë.
Presidenti rus tha se vendi i tij duhet të bëjë hapa edhe në përmirësimin e kujdesit shëndetësor.
Në lidhje me ushtrinë, Putin tha se Rusia po e përmirëson infrastrukturën e saj në rajonin e Arktikut, për të mbrojtur interesat e saj.
Fjalimi i tij vjen disa ditë para zgjedhjeve presidenciale të 18 marsit në Rusi, të cilat pritet t'i fitojë Putin.