Ngrihen akuza të reja kundër dy ish-ndihmësve të Trumpit

Paul Manafort (djathtas) dhe Rick Gates.

Robert Mueller, këshilltar i posaçëm amerikan, i cili po heton ndërhyrjen e Rusisë në politikën e Shteteve të Bashkuara, ka ngritur padi të reja penale kundër dy ish-ndihmësve të fushatës së presidentit Donald Trump.

Paul Manafort, i cili është shkarkuar si menaxher i fushatës së Trumpit në gusht të vitit 2016, dhe zëvendësi i tij, Rick Gates, janë akuzuar vitin e kaluar për komplot, mashtrim dhe vepra të tjera, që kryesisht rrjedhin nga puna lobuese e Manafortit për një parti politike pro-ruse në Ukrainë.

Edhe Manafort, edhe Gates kanë mohuar fajësinë.

Akuzat e reja përfshijnë evazionin fiskal dhe mashtrimin financiar.

Manafort dhe Gates janë në mesin e disa njerëzve të akuzuar nga ekipi i Muellerit, i cili po heton ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, në vitin 2016.