Ambasada amerikane në Tiranë e zhgënjyer me deklaratat e Ramës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Shqipërisë që të shmangë “gjuhën e pakujdesshme”, pasi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, propozoi që Kosova dhe Shqipëria të kenë një president dhe politikë të përbashkët të sigurisë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës, në seancën solemne për 10-vjetorin e pavarësisë, deklaroi se “Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një politikë të jashtme”.

“Dhe jo vetëm ambasada e përfaqësi të njëjta, po pse jo një president, simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë”, kishte deklaruar ai.

Rama më vonë kishte thënë se deklaratat e tij janë nxjerrë nga konteksti, por Bashkimi Evropian kishte vlerësuar se deklaratat e kryeministrit shqiptar “nuk ndihmojnë” fare, përderisa Serbia ka akuzuar kryeministrin Rama se dëshiron të krijojë “Shqipërinë e Madhe”.

Ambasada amerikane ka shprehur zhgënjimin e saj me komentet e Ramës.

“Gjuha e shkujdesur, që aludon për bashkim, është e padobishme dhe dëmton raportet e Shqipërisë me shtetet fqinje. Ne i bëjmë thirrje liderëve që të jenë fqinj të mirë dhe të lënë mënjanë gjuhën ndarëse të së shkuarës”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane.