Shtyhet për të premten seanca për Demarkacionin

Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka shtyrë për të premten seancën e jashtëzakonshme, ku në rend dite është votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Deri te shtyrja e seancës erdhi pasi që nuk u sigurua numri prej 80 votave të nevojshme për ratifikimin e marrëveshjes. Andaj, liderët politikë dhe deputetët fituan edhe një ditë shtesë për negociata mes vete.

Pas një pritjeje prej më gjatë se 2 orë e gjysmë, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli doli në foltoren e Kuvendit dhe ftoi deputetët të shpërndahen. Ai tha se seanca pritet të fillojë të premten, nga ora 10:00.

Pas shtyrjes së seancës, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha para medieve se Kuvendi duhet të marrë vendim, të ratifikojë demarkacionin, për t’iu mundësuar qytetarëve të Kosovës të lëvizin lirshëm, pa viza, brenda këtij viti.

Ai tha se ka zhvilluar një takim të suksesshëm me partitë politike, ambasadorin amerikan Greg Delawie dhe Shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian, Nataliya Apostolova, ku sipas tij, kishte frymë pozitive që dert ë mërkurën, të përmbyllet ratifikimi i Marrëveshjes me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare.

“E gjithë përpjekja ime është arritja e një konsensusi nacional. Të jemi unik në seancë dhe të mos i maltretojmë më qytetarët”, tha Veseli.

“Nuk ka patriotizëm më të madh sot në Kosovë sesa hapja e perspektivës euro-atlantike dhe liberalizmi i vizave për qytetarët”, theksoi Veseli.

Qeveria e Kosovës ia ka bashkangjitur këtij Projektligji edhe një raport të Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare, i cili nuk e mbështetë Marrëveshjen e arritur me Malin e Zi më 2015, si dhe Deklaratën e nënshkruar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, përmes së cilës shprehet gatishmëria dypalëshe për korrigjimin e gabimeve eventuale gjatë procesit të Demarkacionit të kufirit.

Për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, nevojiten 80 vota të deputetëve apo dy të tretat e numrit të tërësishëm të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Aktualisht, votën kundër e ka paralajmëruar vetëm Lëvizja Vetëvendosje, përderisa subjekti tjetër opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës, pritet që të kërkojë shmangien e votimit për raportin e Komisionit shtetëror, të cilin e konsideron vetëm si një draft të papërfunduar.

Para fillimit të seancës, deputetja Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje tha se kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës padi ndaj presidentit, Hashim Thaçi.

Vetëvendosje e ka akuzuar Thaçin për “shkelje të rëndë” dhe “tradhti ndaj vendit” në çështjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Ajo iu referua nenit 124 të Kodit Penal të Kosovës i cili e vë Presidentin në përgjegjësi në rast të shkeljes së sovranitetit të shtetit.

“Kemi deponuar në Prokurorinë Speciale kallëzimin penal kundër Hashim Thaçit për shkak të veprës penale ‘tradhti ndaj vendit’”, tha Haxhiu.

Vetëvendosje i kishte marrë në seancë dosjet me emrat e atyre që kanë nënshkruar peticionin kundër demarkacionit.

Deputetët e Vetëvendosjes me peticionin kundër demarkacionit

Edhe ​Lista Serbe ka kumtuar se nuk do ta përkrahë ratifikimin e demarkacionit.

“Një gjë e tillë nuk është dakorduar me ne dhe nuk do ta mbështesim demarkacionin”, thuhet në deklaratën e Listës Serbe, duke iu referuar disa shkrimeve nëpër media të ndryshme.

“Ne do të vazhdojmë të luftojmë për të drejtat e bashkësisë serbe që jeton në Kosovë”, thuhet në deklaratë.

Presidenti i Koosvës, Hashim Thaçi ka ftuar të gjithë deputetët ta ratifikojnë demarkacionin, duke i adresuar një thirrje të veçantë edhe Listës Serbe.

“Sot, kur krejt bota është duke na shikuar, besoj thellë në vullnetin e të gjitha partive politike për të ratifikuar këtë marrëveshje, e cila krijon një dinamikë të re edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.Vota për ratifikimin e demarkacionit është votë për lirinë e lëvizjes së qytetarëve në zonën Shengen, është votë për Kosovën në Evropë”, ka shkruar Thaçi në facebook.

​Ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, mbetet kushti i fundit, që i ka vënë Komisioni Evropian Kosovës, në procesin e liberalizimit të vizave.

Në Kuvendin e Kosovës, në hapësirën e rezervuar për mysafirë, ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie.

“Jam këtu që t’i inkurajojë të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës për të ratifikuar Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi”, tha Delawie.

Ai tha se kjo është një "marrëveshje e denjë dhe saktë" dhe se secili deputetë duhet ta dijë qëllimin e fundit të saj, që është marrja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Abstenimi është votë kundër, kështu që i ftojmë të gjithë deputet të votojnë për marrëveshjen”, tha Delawie.

Përmes disa shkrimeve në rrjetin social Twitter, Delawie kishte shprehur edhe habinë e tij me veprimet e disa deputetëve që janë pozicionuar kundër Demarkacionit.

“E çuditshme se sa shumë po punojnë disa njerëz për t’i mbajtur qytetarët e Kosovës larg udhëtimit në Evropë!”, ka shkruar ambasadori amerikan, në rrjetin social, në internet.

Edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, përmes rrjeteve sociale, ka thënë se po i ndjek me interesim të madh zhvillimet në Kosovë për çështjen e demarkacionit.

“Po e ndjek me interesim të madh debatin dhe votimin për demarkacionin në Kuvendin e Kosovës. Gjithë të mirat për miqtë, partnerët e qytetarët që treguan përkushtim të vërtetë për liberalizimin e vizave. Mirënjohëse edhe për Malin e Zi”, ka shkruar Fajon.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Si e tillë, kjo marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës.

Pa ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, Komisioni Evropian e ka bërë të qartë se Kosova nuk mund të përfshihet në agjendën për liberalizimin e vizave.