Poroshenko akuzon Rusinë se po kryen "luftë hibride botërore"

Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko gjatë fjalimit të tij në Mynih, foto nga arkivi

Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, ka akuzuar Moskën për “luftë hibride në botë”, derisa i ka bërë thirrje Perëndimit të rrisë presionin mbi Kremlinin për ndikimin e saj në Ukrainë.

Poroshenko, i ka bërë këto akuza në fjalimin e tij të mbajtur në konferencën për siguri që po mbahet në Mynih.

Poroshenko ka akuzuar Moskën, që sipas tij po kërkon të shkatërrojë demokracinë e Ukrainës dhe atë Perëndimore.

“Sot nuk mund të bëjmë asgjë përveç se, të vetëdijësohemi se lufta hibride e Rusisë është duke u kthyer gradualisht në një luftë hibride botërore”, ka thënë ai gjatë konferencës.

Në këtë konferencë, Rusia përfaqësohet nga ministri i saj i Jashtëm, Sergei Lavov.

Në këtë konferecnë ishte planifikuar të mbahej një takim në Formatin e Normandisë në mes të Gjermanisë, Francës dhe Ukrainës, mirëpo është anuluar, pa u njoftuar nëse do të caktohet ndonjë datë tjetër për zhvillimin e një takimi të tillë.