Rasti Ivanoviq, gjykata liron dy policët serbë

Vendi ku është vrarë Oliver Ivanoviq.

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka liruar dy pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, të cilët janë arrestuar në fundjavë, nën dyshimet se kanë manipuluar me prova në rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Prokuroria e Kosovës më herët i ka kërkuar gjykatës që të zgjasë në një muaj paraburgimin e dy policëve nga Mitrovica e Veriut.

Prokurori kryesor në Mitrovicën e Veriut, Shuqri Syla, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky vendim i gjykatës është i papritur dhe se prokuroria do ta apelojë atë brenda 24 orësh.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, D.M. dhe Zh.J., janë arrestuar për veprën penale "manipulim me prova në hetimet për vrasjen e Ivanoviqit".