Trump: Memorandumi më ka "shfajësuar plotësisht" nga çështja ruse

Presidenti amerikan, Donald Trump, foto nga arkivi

Presidenti amerikan, Donald Trump ka pretenduar se ai është shfajësuar plotësisht pas publikimit të memorandumit të shkruar nga republikanët, i cili supozon se FBI-ja ka abuzuar me fuqinë e saj, gjatë një hetimi për lidhje të mundshme në mes të fushatës së Trumpit për president dhe Rusisë.

Përmes një postimi në Twitter më 3 shkurt, Trump ka thënë se “ky memorandum shfajëson plotësisht “Trumpin” në hetime. Mirëpo gjuetia e shtrigave ruse vazhdon e vazhdon”.

Trump ka ripërsëritur se nuk ka pasur bashkëpunim.

Ky memorandum i publikuar më 2 shkurt pretendon, se FBI-ja kur ka aplikuar për një kerkesë për vëzhgim të një prej bashkëpuntorëve të fushatës së Trumpit, është bazuar në një ish-agjent britanik, raporti i të cilit ishte financuar nga demokratët.

Memorandumi kontravers akuzon FBI-në dhe Departamentin e Drejtësisë për qasje paragjykuese.

Demokratët kanë thënë se memorandumi është redaktuar në mënyrë selektive nga republikanët, për të larguar vëmendjen nga hetimet e komitetit për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale më 2016.

Demokratët e Kongresit kanë paralajmëruar se Trump mund të nxisë “krizë kushtetuese” nëse përdor dokumentin si pretekst për ta shkarkuar Muellerin.

Demokratët po ashtu kanë thënë se shpresojnë ta publikojnë memorandumin e tyre më 5 shkurt.