Maqedoni: Janë konfiskuar sasi të mëdha të kanabisit

Pamje e kanabisit të konfiskuar më parë në kufi të Maqedonisë

Oficerët doganorë në Maqedoni thonë se i kanë konfiskuar më se 300 kilogramë kanabis në një kamion, i fshehur në thasët me oriz, në kufirinme Greqinë.

Dogana tha sot se droga, e destinuar për pjesën perëndimore të Evropës, e ka një vlerë të shitjes në rrugë prej 800 mijë eurove.

Shoferi i kamionit, një grek 36 vjeçar, emri i të cilit nuk është publikuar, është arrestuar lidhur me akuza për trafikim, raporton agjencia AP nga Shkupi.

Autoritetet thanë se kamioni ishte nisur nga Athina dhe se detajet e këtij rasti i janë dërguar Zyrës së prokurorisë.

Konsiderohet se Maqedonia është pikë madhore tranzitore për trafikantët ndrkombëtarë të drogës, përfshirë transportin e heroinës nga Azia Jugperëndimore në Evropë dhe aktualisht është parë kulminacion i trafikimit të kanabisit, sipas raporteve nga agjencitë e monitorimit të Bashkimit Evropian.