Nimetz: Koha që të zgjidhet kontesti për emrin e Maqedonisë

Matthew Nimetz duke folur para gazetarëve sot në Athinë

I dërguari i Kombeve të Bashkuara, Matthew Nimetz, ka kërkuar nga Greqia dhe Maqedonia, që ta shfrytëzojnë momentin në bisedime dhe ta zgjidhin kontestin për emër, që i ka tensionuar raportet për më tepër se 25 vjet, duke thënë se të dy palët tash duket se janë “energjike” për arritje të marrëveshjes.

“Është koha për marrje të vendimit dhe mendoj se ne jemi atje”, tha zoti Nimetz sot në Athinë.

Mëtutje ai ka theksuar se “ka njohuri se qeveria greke është shumë e sinqert dhe me energji për arritje të zgjidhjes së problemit...mendoj se ekziston vullnet këtu dhe mendoj se, po ashtu, në Shkup, për tu përpjekur për të gjetur zgjidhje”, u tha Nimetz gazetarëve në Athinë.

Athina ndoshta do t’i paraqes Shkupit dhe Kombeve të Bashkuara propozimet e veta muajin e ardhshëm, ka deklaruar mbrëmë vonë në televizionin shtetëror ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias.