Presidenti prorus, Milos Zeman, është rizgjedhur president i Çekisë edhe për një mandat pesëvjeçar.
Rezultatet zyrtare pas numërimit të 96.87% të fletëvotimeve tregojnë se Zeman ka fituar me 51.95% të votave, ndërsa rivali i tij proevropian, Jiri Drahos, i ka fituar 48.04%. Zoti Drahos e ka pranuar disfatën.
Zeman, 73 vjeçar, prej vitit 2013 është president i Çekisë, që është në masë të madhe funksion ceremonial.
Ai ka shkaktuar kundërthënie duke shprehur pikëpamje kundër migrantëve, pastaj me denigrim të myslimanëve dhe përmirësim të raporteve me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në kohën kur shumë në Evropë kanë shprehur shqetësim për përzierjen e Moskës në punët dhe në zgjedhjet perëndimore.
Zeman, po ashtu, synon marrëdhënie më të afërta me Kinën.
“Dëshiroj ta uroj fituesin e zgjedhjeve, Milos Zeman”, i tha Jiri Drahos, 68 vjeçar, masës së mbështetësve të vet.
Drahos dikur ishte kryetar i Akademisë së Shkencave të Çekisë.