Kroacia e quan "propagandë" ekspozitën serbe për kampin Jasenovac

Ministrja e Jashtme e Kroacisë, Marija Pejçinoviq Buriq.

Kroacia akuzoi Serbinë për përhapje të propagandës me një ekspozitë në Kombet e Bashkuara, e cila flet për një kamp të përqendrimit në Kroaci, të udhëhequr nga regjimi pro-nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ministrja e Jashtme e Kroacisë, Marija Pejçinoviq Buriq, tha se Serbia ka përdorur "fakte false" në disa pjesë të ekspozitës për kampin Jasenovac.

"Për fat të keq, kjo nuk kontribuon në përkujtimin e viktimave", tha Buriq.

Televizioni shtetëror serb tha se ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, e ka hapur ekspozitën të enjten në OKB.

Dhjetëra-mijëra hebrenj, serbë dhe kroatë anti-fashistë janë vrarë në kampin në Jasenovac, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

"E kemi detyrim t'i kujtojmë", ka thënë Daçiq.

Marrëdhëniet midis Kroacisë dhe Serbisë mbeten të tendosura pas shpërbërjes së përgjakshme të ish-Jugosllavisë, në vitet 1990.