Kurti: Nuk jam shef e as pronar në Vetëvendosje

Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se subjekti që ai drejton nuk do të ndahet, pavarësisht dorëheqjeve të disa zyrtarëve të lartë. Këto komente, Kurti i bëri në konferencën e parë për media, pas zgjedhjes së tij kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, në procesin e brendshëm zgjedhor që u zhvillua të dielën, më 21 janar.

Kurti tha se Kryesia e Vetëvendosjes i ka ngarkuar dy përfaqësues të saj, deputetin Glauk Konjufca dhe kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti që të bisedojnë me të gjithë në mënyrë që të vijë deri te kthimi i këtyre personave të dorëhequr, ngase siç tha ai, ata kanë dhënë dorëheqje nga pozitat, por jo nga anëtarësia.

“Unë besoj që zgjidhja është pjesëmarrja aktive e jo dorëheqja. Unë nuk mbaj inat, as nuk do të hakmerrem e as nuk do ta përdori dorën e hekurt”, tha Kurti.

Kurti është akuzuar nga disa aktivistë, por edhe deputetë dhe zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes, se po kthehet në krye të partisë si “babai” i Vetëvendosjes, i cili dëshiron t’i ketë të gjitha çështjet dhe vendimet nën kontroll. Por, një gjë të tillë, ai e ka mohuar.

“E kam vullnetin e hekurt, por jo dorën e hekurt. Unë nuk jam as shef e as pronar në Vetëvendosje, por jam kryetar që të shërbej dhe nuk besoj që duhet të më shohin si dikush që mund të përdor dorë të hekurt ndaj kujtdo qoftë”, theksoi Kurti.

“Do të jem kryetar i të gjithëve, do t’i shërbej vullnetit dhe interesit të përgjithshëm”, deklaroi Albin Kurti.

Sidoqoftë, Lëvizja Vetëvendosje po kalon një prej fazave më të rënda që nga themelimi, pavarësisht faktit që aktualisht ka 32 ulëse në Kuvend dhe përfaqëson, jo vetëm subjektin më të madh opozitar në Kosovë, por edhe partinë më të madhe në Kuvendin e Kosovës.

Analistët politikë, ndërkaq besojnë se dorëheqjet, nisur nga ish kryetari, Visar Ymeri, ish-Sekretari Organizativ, Dardan Molliqaj, nënkryetarët dhe zyrtarët tjerë, mund të rezultojnë me ndarjen e këtij subjekti politik në dy blloqe.