Bugajski: Rusia, lojtar negativ në raportet Serbi - Kosovë

Janusz Bugajski nga Qendra për Analiza të Politikës Evropiane (CEPA) me seli në Uashington

“Rusia nuk është palë neutrale në çështjen e dialogut. Ajo është, do të thoja, një lojtar negativ në raportet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, thotë Janusz Bugajski, ekspert për Ballkanin nga Qendra për Analiza të Politikës Evropiane (CEPA), me seli në Uashington.

Radio Evropa e Lirë: Pas vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, ne kemi dëgjuar disa deklarata politike për këtë incident tragjik. Në anën tjetër, po zvillohen hetime zyrtare. Sipas jush, a janë të dobishme këto deklarata politike apo jo?

Janusz Bugajski: Nuk mendoj se çdo gjë e thënë në këtë moment është shumë e dobishme. Mendoj se duhet të ketë hetime të plota, të cilat aktualisht kanë filluar. Mendoj, po ashtu, se Prishtinës i duhet bashkëpunimi ndërkombëtar. Para se të dënohet qeveria në Kosovë, mendoj se Beogradi duhet të jetë shumë më tepër i gatshëm të thotë: ne kemi vullnet të bashkëpunojmë.

Në fakt, është ironike, por vetë vrasja mund të jetë një rast për Beogradin dhe Prishtinën, për të punuar së bashku kundër terrorizmit, kundër sabotazhit, kundër përpjekjeve për vrasje, e të tjera, që ne i kemi parë në Ballkan më parë. Pra, unë gjithnjë mendoj se vrasja tragjike, po ashtu, është edhe një mundësi për të dy palët.

Radio Evropa e Lirë: Pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, tensionet ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë po shtohen. Ne kemi parë ndikim edhe në rundin teknik të dialogut, i cili u anulua në Bruksel. Por, presidentët e të dy vendeve thonë se janë të përkushtuar për vazhdimin e dialogut për normalizim në të ardhmen. Si e shihni ju këtë dialog për normalizim në tërësi?

Janusz Bugajski: Dialogu, i cili është vonuar për një vit, duhet të ristartoj. Janë një numër i çështjeve shumë të rëndësishme me të cilat duhet të merret. Unë do të thosha, se jo vetëm me çështjet e vogla, por duhet të merret edhe me ato të mëdhat, që ne i quajmë normalizim në krijimin e raporteve bilaterale, që e lejojnë Kosovën të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Tjetër fakt është se Shtetet e Bashkuara aktualisht mund të jenë më të dobishme, më mbështetëse, në lëvizjen e dialogut përpara. Deri tash, Bashkimi Evropian, është marrë me çështje të vogla. Mendoj se janë Shtetet e Bashkuara që do të merreshin me çështje më të mëdha. Po ashtu, do të thoja se lidhur me vrasjen, ekstremistët e dyshuar e kanë zgjedhur momentin kritik.

Me fjalë të tjera, kush është ai që do të dëshironte t’i sabotonte bisedat ndërmjet dy kryeqyteteve? A janë ata politikanë nacionalistë, a janë elemente kriminale brenda Serbisë, brenda Kosovës Veriore, apo është ndonjë fuqi e jashtme?

Mos harroni, Rusia ishte përpjekur t’i sabotonte zgjedhjet në Mal të Zi. Nuk ka arsye, do të thoja, të ketë dyshim se Rusia do të ishte e lumtur t’i sabotonte raportet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Do të dëshiroja t’i kthehem përsëri dialogut. Ju e përmendët se ndoshta do të ishte e dobishme që Shtetet e Bashkuara të përfshiheshin në këtë dialog. Por, serbët thonë se në atë rast, ata do të kërkonin që të përfshihet edhe Rusia. Çka mendoni ju?

Janusz Bugajski: Serbët mund të kërkojnë që Rusia të përfshihet, por kjo nuk do të thotë se domosdoshmërisht ajo do të përfshihet. Rusia nuk ka prani në terren në Kosovë. Rusia nuk e mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Rusia nuk është, të themi, ndërmjetësues i besueshëm në këtë proces.

Pra, nuk mendoj se Rusia do të përfshihej në bisedime dhe mendoj se nëse Shtetet e Bashkuara e marrin udhëheqjen së bashku me Bashkimin Evropian, bile do të mund të silleshin edhe dy vende të tjera, siç janë Kina ose Turqia.

Përse do të duhet të përfshihej Rusia? Rusia nuk është palë neutrale në këtë çështje. Ajo është, do të thoja, një lojtar negativ në raportet ndërmjet dy vendeve.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Bugajski, liderët e Kosovës dhe anëtarët e kuvendit janë kritikuar nga përfaqësuesit e vendeve perëndimore, për nismën për tërheqjen e legjislacionit për Gjykatën Speciale për Krime të Luftës. Por, situata është ende e paqartë. Disa thonë se kjo është kriza më e madhe në raportet ndërmjet liderëve të Kosovës dhe aleatëve perëndimorë, përfshirë Shtetet e Bashkuara. A pajtoheni me këtë vlerësim?

Janusz Bugajski: Nuk do ta ekzagjeroja, por mendoj se është problem madhor, i cili mund të zhvillohet, nëse qeveria e Kosovës do të shkojë prapa në përkushtimin për Gjykatën Speciale, Prokurorinë Speciale, Dhomat e Specializuara. Kjo do të indikonte se qeveria e Kosovës diçka po fshehë... se ajo nuk është e gatshme të bashkëpunojë me komunitetin ndërkombëtar. Kjo mund ta pengojë progresin e Kosovës kah institucionet ndërkombëtare. Po ashtu, kjo mund t’i dëmtojë raportet me Shtetet e Bashkuara. Siç e dini, Shtetet e Bashkuara ishin mbështetësi kryesor për pavarësinë e Kosovës.

Por, ekzistojnë çështje të caktuara të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, të cilat me të vërtetë duhet të trajtohen. Mendoj se kjo është një mundësi e mirë për Kosovën të thotë: ne nuk kemi asgjë për të fshehur.

Ka pasur lëvizje çlirimtare dhe sikur në çdo lëvizje çlirimtare, aty gjithmonë ka indidivë të cilët kanë kryer disa lloje të krimeve. Kjo ka ndodhur në çdo vend. Kjo e bën Kosovën normale... Nëse nuk merr pjesë në këtë, atëherë do të jetë, të themi, e izoluar dhe potencialisht e lënë anash.

Radio Evropa e Lirë: Kosova është vendi i vetëm në rajon pa liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian. Njëri prej kushteve kryesore i BE-së për Kosovën është ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi. Por, përsëri, duket se në Kuvendin e Kosovës nuk ka shumicë për këtë ratifikim. Si e shihni ju këtë situatë dhe sipas jush, a ka gjasë që kosovarët të udhëtojnë pa viza në Bashkimin Evropian?

Janusz Bugajski: Për viza ka spekulim nga BE-ja se kufiri me Malin e Zi duhet të ratifikohet para riprocedimit për marrëveshjen për liberalizim të vizave. Ka edhe mënyra të tjera për tu marrë me këtë, natyrisht, por mendoj se kjo masë ka të bëjë me raportet e Kosovës, jo vetëm me vendin fqinj, por, po ashtu, memarrëdhëniet e saj me NATO-n.

Mos harroni se Mali i Zi tash është anëtar i NATO-s. Ky vend është edhe në binarët, me gjasë më të shpejtë në rajon, për pranim në BE.

Prandaj, mendoj se bllokimi i kësaj marrëveshjeje kufitare nuk i shërben interesit kombëtar të Kosovës. Ne po flasim për një pjesë shumë të vogël të territorit dhe për një marrëveshje, për të cilën ishte arritur pajtueshmëria.

Kjo është çështje e guximit në parlament për të shkuar sipas kësaj marrëveshjeje me qeverinë, dhe të lëvizet përpara dhe të ratifikohet.