Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me një deklaratë që ka bërë gjatë ditës nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj.
Nënkryetari i OVL-së të UÇK-së, e ka quajtur "palaço", ambasadorin amerikan Greg Delawie, pasi sipas tij, me deklarata e bëra, Delawie po i thyen të gjitha rregullat dhe përgjegjësitë që ka si diplomat.
Kryeministri Ramush Haradinaj në reagimin e tij në rrjetin social Facebook, ka thënë se "në këtë kohë kur Kosova po ballafaqohet me debat të brendshëm rreth Dhomave të Specializuara, gjuha fyese në këtë debat është e dënueshme për këdo".
Ai ka shkruar po ashtu, se deklarimet fyese nuk i bëjnë nder askujt dhe dëmtojnë proceset zhvillimore.
"Fyerja e shprehur publikisht e z. Nasim Haradinaj është në kundërshtim të plotë me etikën tonë të diskursit publik dhe normat të cilave iu përkushtohemi si qytetarë të Kosovës. I bëj thirrje të gjithëve që të distancohen dhe të përmbahen nga të shprehurit e një fjalori të tillë ndaj kujtdo qoftë", ka thënë Haradinaj.
Të mërkurën, ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, u ka bërë thirrje përfaqësuesve politikë në Kosovë që të heqin dorë nga shfuqizimi apo ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale. Në të kundërtën, ai ka thënë se politikanët do të përballen me pasoja të rënda.