Haradinaj: I kemi kërkuar BE-së që dialogut të hyjë në fazën finale

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sot se delegacioni i ri qeveritar për bisedime me Serbinë është informuar nga Bashkimi Evropian mbi gjendjen aktuale të procesit të dialogut.

Haradinaj, në një konferencë për media në Qeverinë e Kosovës, tha se marrëveshjet e arritura janë në interes të vendit dhe qytetarëve, por ka nënvizuar se ka edhe marrëveshje që nuk po zbatohen, siç është ajo për energjinë.

Ai tha se Kosova nuk shkon në dialog për t’ia zgjatur jetën procesit, por për ta përmbyllur atë.

"Delegacioni i Kosovës që ka qenë në përbërje të gjerë ka kërkuar nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian që të kalohet në fazën finale, pra të marrjes së njohjes për Kosovën", tha Haradinaj.

Takimi ndërmjet delegacioneve teknike të Prishtinës dhe Beogradit, i cili ishte planifikuar të zhvillohet të martën në Bruksel, ishte anuluar si pasojë e vrasjes së politikanit serb nga Mitrovica, Oliver Ivanoviq.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çështje teknike, ka nisur në mars të vitit 2011, për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008.