Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, tha se trupat e Shteteve të Bashkuara do të mbeten në Siri për kohë të pacaktuar, jo vetëm për të luftuar militantët, por edhe për të kundërshtuar pushtetin e presidentit sirian, Bashar al-Assad, dhe të aleatit të tij, Iranit.
Tillerson tha se misioni i ushtrisë amerikane do të përqendrohet në shkatërrimin e grupit militant Shtetit Islamik dhe parandalimin e kthimit të tij.
Një synim tjetër, shtoi ai, është të krijohen kushtet për liderë të rinj që do të zëvendësonin Assadin. Tillerson e përshkroi presidentin sirian si “vrasës”.
“Tërheqja totale e personelit amerikan në këtë kohë do të bënte që Assadi të vazhdonte trajtimin brutal të popullit të tij”, tha Tillerson para një audience në Universitetin Stanford.
“Mosangazhimi i Shteteve të Bashkuara në Siri po ashtu do t’i mundësinte Iranit të forcojë pozicionin e tij brenda Sirisë”, tha Tillerson.
“Siç e kemi parë nga luftërat e Iranit dhe deklarimet e tij publike, ai kërkon dominimin në Lindjen e Mesme dhe shkatërrimin e aleatit tonë, Izraelit”, shtoi sekretari amerikan i Shtetit.
Shtetet e Bashkuara kanë të vendosura rreth 2,000 trupa tokësore në Siri, ndërsa aeroplanët e tyre patrullojnë mbi lindje të vendit dhe ndjekin mbetjet e Shtetit Islamik, i cili është mposhtur vitin e kaluar.
Pas dëbimit të militantëve nga kryeqyteti i tyre i vetëshpallur Raka dhe zona të tjera në verilindje të Sirisë, SHBA ka punuar me Forcat Demokratike Siriane, një milici e dominuar me luftëtarë kurdë.
Uashingtoni tani është duke e ndihmuar këtë milici në krijimin e një force prej 30,000 vetash, e cila do t’i siguronte kufijtë e Sirisë me Irakun dhe Turqinë dhe do të parandalonte rikthimin e militantëve. Ky veprim është kundërshtuar fuqishëm nga Irani, Turqia dhe Siria.
Duke shpallur vendimin për mbajtjen e trupave në Siri, Tillerson tha se Uashingtoni nuk po futet si luftëtar në konfliktin civil të Sirisë, i cili ka nisur shtatë vjetë më parë. Ai po ashtu tha se SHBA nuk kërkon ndryshim të dhunshëm të regjimit.
Sipas tij, rol i SHBA-së do të jetë sigurimi i qëndrueshmërisë, që do të mundësonte rifillimin e procesit paqësor dhe gjetjen e alternativave të regjimit të Assadit.
Edhe pse theksoi se SHBA nuk është e interesuar në ndërtimin e misionit afatgjatë në Siri, Tillerson tha se Uashingtoni nuk duhet të përsërisë “gabimin” që ka bërë duke u larguar nga Iraku.
SHBA është tërhequr nga Iraku në vitin 2011, tetë vjet pasi ka rrëzuar regjimin e Saddam Husseinit. Uashingtoni është kthyer në këtë vend në vitin 2014, me personel shumë më të vogël, për të luftuar Shtetin Islamik.
“Nuk mund t’i bëjmë gabimet që i kemi bërë në vitin 2011, kur largimi i parakohshëm nga Iraku i mundësoi Al Kaidës atje të mbijetojë dhe të transformohet në Shtet Islamik”, tha Tillerson.