Sekretari i pëgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, sonte vonë pritet të arrijë në Maqedoni, për të biseduar lidhur me synimet e ripërtrira të këtij vendi për anëtarësim në NATO, një dekadë pasi kontesti për emër me Greqinë fqinje, e pengoi përpjekjen fillestare për integrim në këtë aleancë.
Zoti Stoltenberg nesër do të ketë takime me qeverinë e re të Maqedonisë, e cila e mori pushtetin vitin e kaluar dhe ka shprehur përkushtim për përpjekje për ta zgjidhur kontestin për emër me Greqinë, që po zgjatë më tepër se dy dekada, raporton agjencia AP nga Shkupi.
Greqia, anëtare e NATO-s, e ka bllokuar pranimin e Maqedonisë në NATO në vitin 2008, duke thënë se emri i Maqedonisë implikon pretendime ndaj një province veriore greke me po këtë emër.
Maqedonia i ka hedhur poshtë akuzat e tilla.