BE dhe Irani takohen për marrëveshjen bërthamore

Ilustrim

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe Iranit takohen sot në Bruksel, ku pritet t’i japin mbështetje marrëveshjes bërthamore midis Republikës Islamike dhe fuqive botërore, edhe pse Shtëpia e Bardhë ka thënë se do të vendosë nëse do të vazhdojë ose jo mbështetjen për të.

Në takimin që do të kryesohet nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, fuqitë evropiane, që kanë ndihmuar në negocimin e marrëveshjes së vitit 2015, pritet të sigurojnë Teheranin se ato mbeten të përkushtuara ndaj saj.

Takimi vjen një ditë para afatit që kërkon nga presidenti amerikan, Donald Trump, të deklarohet nëse SHBA do të vazhdojë mbështetjen për marrëveshjen.

Marrëveshja kërkon nga Irani të frenojë aktivitetet bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Irani ka paralajmëruar të mërkurën se do të tërhiqet nga marrëveshja, nëse edhe SHBA e bën një gjë të tillë.

Nënshkrueset e tjera të marrëveshjes: Britania, Kina, Gjermania, Franca dhe Rusia vazhdojnë ta mbështesin atë.