I dyshuari për trafikim të organeve në Kosovë është arrestuar në Qipro

Pamje e klinikës Medicus në periferi të Prishtinës më 28 prill të vitit 2013

Një shtetas izraelit i akuzuar për involvim në skandalin e trafikimit të organeve në Kosovë, para një dekade, është arrestuar në Qipro dhe autoritetet në Prishtinë kanë kërkuar ekstradimin e tij për tu ballafaquar me proces gjyqësor, ka thënë dje policia e Kosovës.

Policia e akuzon shtetasin izraelit, Moshe Harel, se i ka organizur disa transplantime ilegale të veshkëve në klinikën Medicus në Prishtinë, në vitin 2008.

Agjencia Reuters ka raportuar mbrëmë se ata që kanë marrë organe nëpërmjet transplantimit kanë paguar deri në 100 mijë euro. Por disa donatorë kurrë nuk kanë marrë para, megjithqë u ishin premtuar deri në 12 mijë euro.

“Bazuar në fletarrestin ndërkombëtar i dyshuari M.H. është arrestuar para pak ditësh në Qipro. Ai ishte person në kërkim prej vitit 2010”, ka thënë zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Agjencia tjetër e lajmeve, AFP, ka raportuar sot se rrjeti i trafikantëve të organeve është zbuluar në vitin 2008, pasi një shtetas i Turqisë kishte mbetur pa vetëdije në aeroportin e Prishtinës, meqë e kishte shitur veshkën.

Rrjedhimisht, policia e Kosovës e ka bastisur kinikën Medicus, që pas skandalit është mbyllur.

Në vitin 2013, një gjykatë e udhëhequr nga misioni EULEX në Kosovë, i ka dënuar pesë mjekë të Kosovës deri në tetë vjet burg për trafikim të organeve. Të gjithë ata kanë thënë se nuk janë fajtorë.

Gjykata Supreme e Kosovës e pat anuluar këtë vendim në vitin 2016 dhe ka urdhëruar proces të ri, i cili po vazhdon ende.

Në aktakuzë thuhet se Moshe Harel është organizuesi kryesor i rrjetit të trafikuesve, ndërsa mjeku turk, Yusuf Ercin Sonmez, që është ende në arrati, është i dyshuar për kryerjen e transplantimeve në klinikë.