Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin për ndërhyrje në Iran, shtet në të cilin qe dy javë po organizohen protesta anti-qeveritare.
Të paktën 21 persona deri tash kanë vdekur dhe qindra të tjerë janë arrestuar në protestat në Iran.
“Ne nuk mund të pranojmë që disa shtete- kryesisht SHBA-ja dhe Izraeli- të ndërhyjnë në punët e brendshme të Iranit dhe Pakistanit”, u ka thënë gazetarëve presidenti turk, përpara se të nisej në vizitën e tij zyrtare në Francë.
“Është e turpshme ajo që kemi parë në shumë shtete... Këtë gjë e kemi parë edhe në Irak”, ka thënë Erdogan.
Megjithatë, Erdogan nuk ka shpjeguar më tej natyrën e ndërhyrjes në Pakistan, por të enjten, SHBA ka njoftuar se do të ndërpresë ndihmën për afro një miliard dollarë për Pakistanin.