Visar Ymeri dorëhiqet nga të gjitha postet drejtuese të Lëvizjes Vetëvendosje

Visar Ymeri

Visari Ymeri ka deklaruar sot përmes një konference për media se heq dorë nga të gjitha pozitat e tij drejtuese në Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai ka thënë se ka më shumë se një vit që partia është duke u përballur me një problem me përmasa në rritje, për të cilën Ymeri ka thënë se as nuk e dëshiron as nuk e përkahë.

“Une sot jap dorëheqje në shenjë mospajtimi me këto zhvillime, por edhe si akt zhgënjimi që këto nuk kam arritur t’i ndalë. Kohëve të fundit kam parë një intensitet të shtuar të shpërfilljes së pozitës sime si kryetar dhe të organeve drejtuese të Lëvizjes, sa herë që këto kanë marrë vendime që nuk kanë qenë në përputhje me vullnetin e një pjese të aktivistëve. Në këto rrethana është e pamundshme të drejtosh”, ka thënë Ymeri.

Ai ka thënë se ky është një ndër vendimet më të vështira që ka marrë ndonjëherë në jetë dhe se dita e sotme është një prej ditëve më të vështira në jetën e tij.

Sipas Lëvizja duhet të jetë “organizatë demokratike, e hapur, gjithëpërfshirëse dhe e qartë konceptualisht dhe ideologjikisht”.

Ai po ashtu ka theksuar se dëshiron që ky hap i tij të kuptohet si alarm për gjendjen në të cilën është aktualisht Lëvizja Vetëvendosje.