Ambasada amerikane: Nisma për shfuqizimin e Speciales i dëmton raportet me SHBA-në

Ambasadori amerikan Greg Delawie

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka lëshuar një deklaratë në lidhje me lëvizjet politike në Kuvendin e Kosovës që kanë si synim shfuqizimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

“Gjatë kësaj jave udhëheqësit e Kosovës kanë bërë deklarata të përsëritura publike duke thënë se një iniciativë lidhur me Gjykatën Speciale, e ndërmarrë në Kuvendin e Kosovës, nuk do të dëmtojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës. Ata e kanë gabim. Çfarëdo përpjekje e tillë e përsëritur do të kishte pasoja të thella negative për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe për marrëdhënien e saj me Shtetet e Bashkuara”, thuhet në deklaratë.

“Gjithashtu, kërcënimet me dhunë janë tërësisht të papranueshme, dhe qartësisht dhe pa mëdyshje ato duhet të hidhen poshtë nga Qeveria”, vijon deklarata.

“Jemi jashtëzakonisht të dëshpëruar me ata që do të sakrifikonin të ardhmen e shtetit të tyre dhe përkrahjen e patundur të Shteteve të Bashkuara në favor të interesave të tyre personale”, thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane.