Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se ekzistojnë tendenca që subjektit që ai drejton, ti përshkruhet se e dëshiron Gjykatën Speciale.
“Kjo është e pavërtetë”, ka shkruar Mustafa në rrjetin social Facebook.
Duke komentuar tentimet e fundit për shfuqizimin e Ligjit mbi Dhomat e Veçanta të Gjykatës Speciale dhe Prokurorinë e veçantë, Mustafa ka theksuar se qëndrimi i LDK-së nuk kanë të bëjnë me dëshirën që njerëzit të gjykohen jashtë vendit, por “me përgjegjësitë të cilat shteti ynë i ka marrë me ndryshimet kushtetuese dhe me Ligji”.
“Janë detyrime ndërkombëtare, të cilat nuk mund të zhbëhen me nënshkrime të deputetëve në një mbrëmje. Veçmas kur gjykata është funksionalizuar, kur vendet e BE-së dhe SHBA kanë ndarë buxhetet dhe kanë filluar implementimin. Si pasojë prapë do të kishim një ndërhyrje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe rifuqizim të Rezolutës 1244 dhe të rolit të Rusisë në vendin tonë. Do të kishim izolimin e Kosovës”, ka thënë Mustafa në rrjetin social Facebook.