Komisioni për punë të jashtme shtynë për 26 dhjetor debatin për Demarkacionin

Ilustrim

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike e ka shtyrë për datën 26 dhjetor shqyrtimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin Shtetëror në mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Ky Komisioni vendosi që me 26 dhjetor të mbahet takimi i radhës dhe aty, u ftuan të marrin pjesë edhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe anëtarët e Komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit.

Kryetarja e komisionit, Vjosa Osmani, [deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës] tha se deputetëve të Komisionit parlamentarë për Punë të Jashtme u duhet kohë shtesë për shqyrtimin e Projektligjit, si dhe dokumenteve të komisioneve, si atij aktual ashtu edhe komisionit paraprak.

Deputetët, e partive në pushtet thanë se nuk është e nevojshme të humbet kohë me takime tjera. Sipas tyre, nuk ka nevojë të konsultohen shumë dokumente, ngase siç thanë ata, qëndrimet e deputetëve dhe subjekteve politike për çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi tashmë janë publike.

Sidoqoftë, debati është shtyrë për 26 dhjetor, përderisa mbetet e paqartë nëse Kuvendi do të arrijë që ta adresojë këtë çështje para përfundimit të punimeve për sezonin e dimrit.

Ratifikimi i Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, mbetet kushti kryesor për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.

Mirëpo, Marrëveshja e nënshkruar me Malin e Zi që në gusht të vitit 2015, ka mbetur e pa-ratifikuar, për shkak të mungesës së konsensusit të brendshëm politik mes partive më të mëdha në Kosovë.