Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se ka "unitet të plotë brenda BE-së" në mbështetje të Jerusalemit edhe si kryeqytet i Izraelit, edhe si kryeqytet i shtetit të ardhshëm palestinez.
Mogherini tha se vendet anëtare të bllokut nuk do ta njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit përpara statusit final me marrëveshjen e paqes.
Ajo i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, në Bruksel, i cili u bëri thirrje vendeve të BE-së të ndjekin shembullin e Shteteve të Bashkuara.
Javën e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, e ka njohur Jerusalemin kryeqytet të Izraelit, duke shkaktuar kritika ndërkombëtare.
Mogherini tha se BE do të vazhdojë të njohë "konsenusin ndërkombëtar" mbi Jerusalemin.
“Ju e dini qëndrimin e Bashkimit Evropian. Ne mendojmë se zgjidhja e vetme reale për konfliktin midis Izraelit dhe palestinezëve bazohet në dy shtete dhe me Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe të Palestinës”, tha Mogherini.
Jerusalemi është pika më e nxehtë e konfliktit izraelito-palestinez.
Palestinezët e konsiderojnë atë si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.
Izraeli, ndërkaq, e ka pushtuar Jerusalemin Lindor në luftën e vitit 1967 dhe pretendon se i gjithë qyteti është kryeqytet i tij.
Megjithatë, sovraniteti i Izraelit mbi Jerusalemin nuk është njohur kurrë ndërkombëtarisht dhe të gjitha vendet i kanë ambasadat e tyre në Tel Aviv.
Trump ka thënë se do ta zhvendosë edhe ambasadën amerikane në Jerusalem.